Çelet në Lezhë ekspozita e piktorëve Ardian Mashi dhe Bujar Mallunxa

Ekspozita e piktorëve Ardian Mashi dhe Bujar Mallunxa, e çelur në galerinë e arteve figurative të Pallatit të Kulturës, është pjesë e aktiviteteve artistike që po organizon Bashkia e Lezhës në Vitin Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit - Skënderbeu.
Piktorët Mashi dhe Mallunxa kanë ekspozuar 53 vepra, nga këto, 26 piktura në teknikën e vajit, 5 piktura në akuarel, 19 piktura në pastel dhe 3 vizatime. Në këto punime spikasin gjinitë e peisazhit, natyrës së qetë dhe portretit. Në ceremoninë përuruese të kësaj ekspozite, përgjegjësi i galerisë, skulptori Ymer Metaliaj vlerësoi në detaje punët e paraqitura të dy piktorëve, të cilët në fillimet e para të këtij profesioni ishin shokë te një kursi, të një banke.
 Ndërsa drejtori i Arsimit, Turizmit, Kulturës dhe Sportit Ardian Laçi, evidentoi kujdesin dhe mbështetjen e Bashkisë Lezhë në inkurajimin dhe promovimin e piktorëve dhe talenteve krijues. Me nota pozitive u shprehën deputetja e Lezhës Lindita Metaliaj dhe gazetari Martin Deda, të cilët vunë ne dukje angazhimin që ka bashkia dhe kreu i saj zoti Frrokaj në mbështetjen dhe promovimin e piktorëve e artistëve të të gjitha zhanreve të artit. Ekspozita po vizitohet me interes nga artistë, krijues e qytetarë të Lezhës.
Rrok Lelçaj    Lezhë, 09.02.2018

Sherbime dhe kontakte

Adresa:

Lagjia Skenderbeg, Sheshi Gjergj Kastrioti
Lezhe, Albania
info@lezha.gov.al
Të gjitha të drejtat e rezervuara. © 2016 Bashkia Lezhe